Politika e Privatësisë
Cilat të dhëna personale mbledhim, pse, me kë i ndajmë dhe sa kohë i ruajmë
1. Kush i përpunon të dhënat
Të dhënat tuaja personale i përpunon KNGS SHPK, që drejton Gosalci-n: faqen gosalci.com, aplikacionet për iOS dhe Android, kurset, ngjarjet dhe komunitetin në Discord. Të dhënat tona të kontaktit janë në fund të kësaj faqeje.
I përpunojmë sipas ligjit të Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, për përdoruesit në Bashkimin Evropian, sipas GDPR-së.
2. Të dhënat që mbledhim
Mbledhim vetëm ato që na duhen për shërbimin:
- Llogaria: emri, email-i, shteti, fjalëkalimi (vetëm i hash-uar), gjuha dhe cilësimet, si dhe, kur i aktivizoni, verifikimi me dy hapa dhe passkey-t. Nga një passkey ruajmë vetëm çelësin publik dhe emrin që i jepni: gjurma e gishtit dhe fytyra juaj nuk largohen kurrë nga pajisja.
- Hyrjet dhe sesionet: adresa IP, koha e hyrjes dhe e daljes, shfletuesi dhe pajisja, si dhe regjistri i veprimeve në llogari. Aplikacionet dërgojnë me çdo kërkesë platformën (iOS ose Android) dhe versionin e tyre.
- Blerjet: çfarë blini, shuma, data, emri dhe email-i i blerësit, shteti dhe emrat në bileta. Kartelën e shkruani vetëm në faqen e pagesës: prej saj marrim statusin e pagesës, llojin dhe 4 shifrat e fundit të kartelës dhe, për një plan me ripërtëritje automatike, një kod për ta tarifuar sërish. Numrin e plotë të kartelës nuk e shohim kurrë. Për kontrollin e sigurisë së kartelës (3-D Secure), faqja e pagesës merr edhe adresën tuaj IP dhe të dhëna për shfletuesin.
- Kurset: grupet ku jeni regjistruar dhe progresi juaj.
- Karta e anëtarit: fotoja që ngarkoni për kartën, nga faqja ose nga aplikacioni (me kamerë ose nga fotot tuaja), kodi i anëtarit dhe, kur një partner e skanon kartën, cili partner dhe kur.
- Përmbajtja juaj: listat e ndjekjes dhe shënimet, portofolet, ditari, llogaria demo me urdhrat e saj, vizatimet në grafikë, skriptet, alarmet, cilësimet e grafikut dhe njoftimet.
- Discord-i: kur e lidhni llogarinë: ID-ja dhe emri juaj në Discord, roli në komunitet dhe kërkesa për t'u bashkuar.
- Marrëveshja OPRA: të dhënat që shkruani kur e pranoni, të përshkruara te “Sa kohë i ruajmë”.
- Pranimi i kushteve: sa herë që pranoni Kushtet dhe konfirmoni se e keni lexuar këtë politikë, në regjistrim, në një blerje ose për një version të ri: cilin version dhe kur, në cilin rast, llogaria ose emri dhe email-i që shkruani, blerja kur ka, gjuha, adresa IP, si dhe shfletuesi ose aplikacioni me versionin e tij.
- Përdorimi i faqes: vetëm nëse e pranoni në njoftimin për cookies, PostHog regjistron në faqe, jo në aplikacione, faqet që hapni, klikimet, pajisjen, shfletuesin, gjuhën, zonën kohore, vendndodhjen e përafërt nga adresa IP dhe regjistrime të vizitave, me fushat e shkrimit të fshehura. Kur jeni të kyçur, i lidh me ID-në e llogarisë suaj, jo me emrin ose email-in.
- Email-et me ne: çfarë na shkruani dhe përgjigjet tona.
3. Pse i përdorim
I përdorim për këto qëllime, secili me bazën e vet ligjore:
- Shërbimi: llogaria, kurset, mjetet, karta, Discord-i, blerjet dhe email-et që i shoqërojnë, si faturat, biletat, ftesat, kujtesat e pagesave dhe njoftimet për ripërtëritjen. Baza: kontrata me ju.
- Siguria: të ndalojmë hyrjet e huaja, mashtrimet dhe ndarjen e llogarive, dhe t'i tregojmë OPRA-s se licenca e saj respektohet. Baza: interesi ynë i ligjshëm.
- Prova: të tregojmë, nëse lind një mosmarrëveshje, se i keni pranuar Kushtet dhe e keni lexuar këtë politikë, dhe cilat versione. Baza: interesi ynë i ligjshëm.
- Përmirësimi: të kuptojmë si përdoret faqja dhe ta përmirësojmë. Baza: pëlqimi juaj, të cilin mund ta tërhiqni kur të doni te cilësimet e cookies në fund të faqes.
- Njoftimet me email ose në Discord: vetëm kur i aktivizoni. Baza: pëlqimi juaj, të cilin mund ta tërhiqni kur të doni te cilësimet.
- Ligji: regjistrat e pagesave dhe çfarë na kërkon një autoritet. Baza: detyrimi ligjor.
4. Me kë i ndajmë
Nuk i shesim të dhënat tuaja. I ndajmë vetëm me ata që na ndihmojnë ta drejtojmë Gosalci-n, ose kur e kërkon ligji, dhe vetëm aq sa u duhet:
- Pagesat: ofruesi i faqes së pagesës dhe rrjetet e kartelave, për të kryer pagesën dhe për kontrollin e sigurisë së kartelës.
- Email-i: shërbimi që dërgon email-et tona.
- Analitika: PostHog, me serverë në Bashkimin Evropian, për përdorimin e faqes, vetëm nëse e pranoni.
- Hostimi, ruajtja dhe monitorimi: ofruesit e serverëve, të bazës së të dhënave dhe të ruajtjes së fotove, si dhe shërbimet që na njoftojnë për gabime dhe ngadalësi.
- Discord-i: kur e lidhni llogarinë ose aktivizoni njoftimet atje. Edhe disa njoftime të brendshme të stafit, për pagesat dhe gabimet, kalojnë përmes Discord-it.
- Përmbledhjet në Discord: kur një anëtar përdor komandën /summary, mesazhet e fundit të atij kanali i dërgohen një shërbimi të inteligjencës artificiale, që shkruan përmbledhjen.
- Partnerët: kur një partner e skanon kartën tuaj, sheh emrin, foton dhe nëse karta është e vlefshme.
- OPRA: raportet që kërkon licenca jonë për të dhënat e opsioneve, me një kod në vend të emrit, dhe marrëveshja juaj OPRA kur ajo e kërkon.
- Autoritetet: kur e kërkon ligji, ose për të mbrojtur të drejtat tona në një mosmarrëveshje.
Ofruesit e të dhënave të tregut nuk marrin asnjë të dhënë personale tuajën.
5. Transferimi jashtë Kosovës
Disa nga këta ofrues i ruajnë të dhënat në Bashkimin Evropian ose në Shtetet e Bashkuara. Transferimet bëhen me mbrojtjet që kërkon ligji, si klauzolat standarde kontraktuale ose vendimet për përshtatshmëri.
6. Sa kohë i ruajmë
Ruajmë të dhënat vetëm për aq kohë sa na duhen:
- Llogaria dhe përmbajtja juaj: derisa t'i fshini ose ta fshini llogarinë. Fotoja e kartës, derisa ta ndryshoni ose ta fshini llogarinë.
- Të dhënat e sesionit: 30 ditë pas aktivitetit të fundit; shfletuesi dhe pajisja e sesionit aktual ruhen derisa të dilni ose të hyni përsëri. Regjistri i aktivitetit ruhet 12 muaj, ndërsa hyrjet dhe daljet nga llogaria (adresa IP, koha) ruhen 3 vjet, si dhe shfletuesi dhe pajisja e të dyjave kur një hyrje e re mbyll sesionin në një pajisje tjetër. Po 3 vjet ruhen edhe ndryshimet e qasjes në llogari: regjistrimi; blerjet, regjistrimet në kurse pa pagesë, porositë e anëtarësimit dhe shtimi i anëtarëve nga administratori, sepse mund të krijojnë një llogari; vendosja e fjalëkalimit dhe ndryshimi i adresës email; dhënia ose heqja e Premium; rivendosja e verifikimit me dy hapa; krijimi ose heqja e llogarive të partnerëve; si dhe krijimi, ndryshimi ose heqja e llogarive të administratorëve dhe hyrjet e daljet e tyre. Licenca jonë për të dhënat e opsioneve (OPRA) kërkon që të tregojmë se një llogari nuk përdoret në disa pajisje njëkohësisht dhe kujt i është dhënë ose hequr qasja në to.
- Marrëveshja e abonentit për të dhënat e opsioneve (OPRA): kur e pranoni, ruajmë emrin, adresën, punëdhënësin dhe funksionin e punës që shkruani, përgjigjet tuaja, versionin e saktë të marrëveshjes, kohën, adresën IP dhe shfletuesin, si dhe çdo dhënie, refuzim, ndërprerje ose revokim të qasjes. I ruajmë për sa kohë ju ofrojmë shërbimin dhe 3 vjet pasi ai të përfundojë, siç e kërkon licenca jonë OPRA, edhe nëse e fshini llogarinë.
- Pranimi i kushteve: për sa kohë ekziston llogaria dhe 7 vjet pasi të mbyllet, edhe nëse e fshini llogarinë, sepse është prova jonë se i keni pranuar. Pas një blerjeje pa llogari, 7 vjet nga blerja.
- Të dhënat e pagesës: 7 vjet nga pagesa, sipas kërkesave ligjore, edhe pasi të fshihet llogaria.
- Analitika: PostHog i ruan ngjarjet deri në 12 muaj dhe regjistrimet e vizitave deri në 30 ditë. Analitika e një anëtari fshihet bashkë me llogarinë.
- Email-et e shërbimit: 3 vjet, për arkivim.
Kur mbaron një afat, të dhënat i fshijmë ose i bëjmë anonime.
7. Të drejtat tuaja
Sipas ligjit, keni këto të drejta:
- E drejta e qasjes: të kërkoni një kopje të të dhënave tuaja.
- E drejta e korrigjimit: të korrigjoni të dhëna të pasakta.
- E drejta e fshirjes: të kërkoni fshirjen e të dhënave tuaja (“e drejta për t'u harruar”).
- E drejta e kufizimit: të kufizoni përpunimin e të dhënave.
- E drejta e bartjes: të merrni të dhënat tuaja në një format të lexueshëm.
- E drejta e kundërshtimit: të kundërshtoni përpunimin për qëllime të caktuara.
Shumicën e tyre mund t'i ushtroni vetë: përmbajtjen e fshini në ekranin e saj, ndërsa gjithë llogarinë te Profili › Fshi llogarinë. Kur fshini llogarinë, profili dhe përmbajtja juaj fshihen menjëherë dhe analitika juaj në PostHog pak më vonë, ndërsa ruhen vetëm pagesat, marrëveshja OPRA, regjistri i aktivitetit dhe pranimi i kushteve, për afatet e mësipërme.
Për çdo kërkesë tjetër, na shkruani. Keni të drejtë të ankoheni edhe te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës ose, nëse jetoni në Bashkimin Evropian, te autoriteti për mbrojtjen e të dhënave në shtetin tuaj.
8. Siguria e të dhënave
Përdorim këto masa për t'i mbrojtur të dhënat tuaja:
- Enkriptimi i të dhënave gjatë transmetimit dhe në ruajtje.
- Fjalëkalimet ruhen vetëm të hash-uara.
- Kontrolli i qasjes dhe verifikimi me dy hapa.
- Monitorimi i vazhdueshëm për aktivitete të dyshimta.
- Kopje rezervë të rregullta dhe të sigurta.
9. Cookies dhe teknologji të ngjashme
Në faqe përdorim cookies për ta mbajtur sesionin tuaj të hapur, për ta bërë platformën të funksionojë, për ta mbrojtur nga mashtrimet dhe, nëse e pranoni, për të kuptuar si përdoret. Hollësitë janë te Politika për Cookies.
Aplikacionet nuk përdorin cookies për lidhjen me ne: hyrjen tuaj e mbajnë në kujtesën e sigurt të pajisjes.
10. Ndryshimet në këtë politikë
Kur e ndryshojmë këtë politikë, versioni i ri merr një datë të re, që shfaqet në fund të faqes. Para se të vazhdoni në panel ose në aplikacione, ju kërkojmë ta lexoni, ashtu si ju kërkojmë t'i pranoni Kushtet dhe Rregullat.
11. Kontakti
Për pyetje rreth kësaj politike ose për të ushtruar të drejtat tuaja, na shkruani:
KNGS SHPK
Email: privacy@gosalci.com
Telefon: +383 48 777 396
Adresa: Rr. Ukshin Hoti, Prime Residence nr. 1, Prishtinë, Kosovë
Data e fundit e përditësimit: 15.11.2026